Plotësimi

Pas startimit të aplikacionit, shfrytëzuesve do t’u paraqiten një varg pamjesh në ekran, që janë logjikisht të qarta dhe intuitive, që do t’i udhëheqin ata nëpër aplikacionin kompjuterik Votëmatësi. Këtu do t’i shqyrtojmë funksionet e Votëmatësit dhe do ta sqarojmë funksionalitetin e këtij aplikacioni kompjuterik:

  • Rangimi i fushave sipas rëndësisë
  • Ekrani me pyetje për shfrytëzuesit
  • Pasqyra
  • Demografia
  • Rezultatet

Rangimi i fushave sipas rëndësisë

Ky ekran u mundëson shfrytëzuesve që në mënyrë të thjeshtë t’i rangojnë 8 fushat e përfshira në Votëmatës. Shfrytëzuesit duhet ta bazojnë këtë rangim, në bazë të asaj se cilat nga fushat do të ishin më pak ose më shumë të rëndësishme për ta zgjedhur një parti të caktuar. Shfrytëzuesit kanë mundësi ta rangojnë çdo fushë, si më të rëndësishme ose më pak të rëndësishme ose ta lënë ashtu siç është.

Në qoftë se shfrytëzuesit i rangojnë fushat sipas preferencave të tyre, ata do të ndikojnë në rezultatet e Votëmatësit, në atë mënyrë që të gjitha partitë, përgjigjet e të cilave përputhen me përgjigjet e shfrytëzuesve në fushat e ranguara si më të rëndësishme, do të rangohen më mirë në rezultatet e përgjithshme, ndërsa në të njëjtën kohë, të gjitha partitë, përgjigjet e të cilave përputhen me përgjigjet e shfrytëzuesve në fushat e ranguara si më pak të rëndësishme, do të rangohen më poshtë në rezultatet e përgjithshme.

Ju rekomandojmë që fushat t’i rangoni për nga rëndësia sipas preferencave tuaja, për shkak se Votëmatësi është i dizajnuar që t’u ndihmojë që në mënyrë sa më precize të vini deri te favoriti juaj për zgjedhjet parlamentare 2011 në Maqedoni.

Te titulli i çdo fushe ka edhe një ikonë informative, e cila do t’u mundësojë që në një ekran të ri të shihni një sqarim të detajuar të gjendjes në këtë fushë në Maqedoni. Tekstet që përmenden këtu, paraqesin vendin kryesor për definimin e pyetjeve nga fushat e caktuara dhe mund të ndihmojnë në definimin e rëndësisë së fushave të veçanta.

Ekrani me pyetje për shfrytëzuesit

Kjo faqe është pjesa kryesore e tërë aplikacionit, që shfrytëzuesve u mundëson të zgjedhin përgjigje në pyetjet e parapara, në atë mënyrë që do të klikojnë në njërin nga këto katër opcione:

  • Pajtohem plotësisht
  • Pajtohem pjesërisht
  • Pjesërisht nuk pajtohem
  • Plotësisht nuk pajtohem

Shfrytëzuesi mund të zgjedhë që ta kërcejë ndonjë pyetje, në qoftë se konsideron se ajo pyetje nuk është me rëndësi për zgjedhjen e tij/saj të opcionit politik. Në qoftë se e bën një gjë të tillë, ajo pyetje nuk do të hyjë në shumën e përgjithshme, e as që do të ndikojë në rezultatet e pyetësorit. Duhet t’i kushtohet kujdes edhe faktit se, në sa më pak pyetje të përgjigjen shfrytëzuesit, aq më e vogël do të jetë baza për llogaritjen e shkallës së përputhshmërisë së mendimit të shfrytëzuesve me partitë e përfshira në Votëmatës, kështu që ky opcion duhet të zgjidhet për ato pyetje të cilat shfrytëzuesi me të vërtetë i konsideron si më pak të rëndësishme për mendimin e tij.

Çdo pyetje është e shoqëruar me një tag informativ të shënuar me ikonë të vogël (“i”), në të cilën gjendet informata kryesore për atë se pse është parashtruar kjo pyetje dhe çka do thoshte pozicionimi i shfrytëzuesit te njëri nga katër opcionet.

Info butoni mund t’u ndihmojë që edhe ju ta testoni qëndrimin tuaj për spektrin politik (i majtë – i djathtë, liberal – konservativ), për shkak se sqarimet e theksuara janë të shkruara me qëllim që t’i interpretojnë teoritë politike në shembullin konkret që e trajton çdo pyetje të veçantë.

Pasqyra

Pasqyra është emri i interfejsit i cili do t’u mundësojë ta shihni se a jeni përgjigjur tërësisht apo pjesërisht, në të gjitha pyetjet e secilës fushë, gjegjësisht a keni kërcyer ndonjë pyetje nga fushat e veçanta.

Kjo është pika nga e cila mund të ktheheni te ndonjë fushë e veçantë dhe të përgjigjeni në pyetjet në të cilat nuk jeni përgjigjur, gjegjësisht t’i ndryshoni përgjigjet në ndonjërën ose në të gjitha pyetjet nga ndonjëra ose të gjitha fushat.

Pasi të përfundoni me të gjitha ndryshimet, duke klikuar në sustën “Përfundo” kaloni në pjesën me rezultate dhe pas kësaj më nuk do të keni mundësi të ktheheni dhe të bëni ndryshime në përgjigjet tuaja.

Gjithsesi, me startimin e ardhshëm të aplikacionit mund të kaloni përsëri nëpër aplikacion dhe të jepni përgjigje të tjera në pyetjet e caktuara.

Demografia

Kjo është një pamje ekrani që u mundëson në mënyrë anonime t’i leni të dhënat tuaja themelore demografike, të cilat do të shfrytëzohen ekskluzivisht vetëm për analiza statistikore.

Gjithsesi, plotësimi i këtij pyetësori nuk është i obligueshëm, mirëpo do të ndihmojë të gjenerohen statistika të cilat do të na ndihmojnë të gjithëve ta kuptojmë më mirë shoqërinë politike në Maqedoni.

Rezultatet

Rezultatet janë bashkësi të paraqitjeve, të cilat u mundësojnë t’i krahasoni përgjigjet tuaja me përgjigjet e dhëna nga partitë politika. Pjesa për rezultate i ofron këto pasqyra:

  • Përputhja e plotë me përgjigjet e partive
  • Përputhja me përgjigjet e partisë sipas fushave
  • Përputhja me përgjigjet e më tepër partive në një ose më shumë fusha
  • Shkalla e përputhjes me përgjigjet e partive në më tepër fusha të ranguara
  • Përputhja e përgjigjeve të shfrytëzuesit me përgjigjet e partisë së zgjedhur
  • Pasqyra e përgjigjeve të partive

Potencojmë se Votëmatësi u mundëson t’i dërgoni rezultatet tuaja në e-mailin tuaj. Në këtë mënyrë u mundësohet që përgjithmonë t’i ruani përgjigjet tuaja në e-mailin tuaj.